Trajnime dhe takime ndergjegjesuese per menaxhimin e zjarreve ne masivin e mbrojtur Sharr-Korab (Projekti PONT)


Description

Vazhdojnë trajnimet dhe takimet ndërgjegjësuese për menaxhimin e zjarreve në masivin e mbrojtur Sharr-Korab.
Në kuadër të projektit “Mbrojtja dhe shfrytëzimi i qëndrueshëm i zonave të mbrojtura në Malin e Sharrit, Mavrovës dhe Korab-Koritnikut”, financuar nga programi PONT – Prespa Ohrid Nature Trust, zbatuar nga ALCDF dhe partnerët CSCD dhe LAG Dibra Turistike, kanë vazhduar përgjatë gjithë kësaj periudhe aktvitetet ndërgjegjësuese dhe trajnuese për menaxhimin e zjarreve në zonat e mbrojtura.
Megjithëse situata e zjarreve këtë vit në rajon ka qenë kritike, për fatin e mirë, zona Sharr-Korab nuk ka qenë e goditur deri në këtë periudhë nga zjarret masive, por disa vatra periodike të cilat janë menaxhuar në kohë, izoluar, dhe pa u përhapur masivisht.
Me grupin e ekspertëvë të menaxhimit të zjarreve në zonat e mbrojtura z. Ariol Lila nga programi rajonal të Ballkanit Perendimorë i Menaxhimit të Zjarreve në Pejsazhet natyrore, dhe Profesor Ervin Toromani nga Fakulteti i Shkencave Pyjore, Universiteti Bujqësor i Tiranës, u organizuan sesione praktike trajnimi me ekipet e zonave të mbrojtura, të pyjeve dhe kullotave në bashki dhe komuna, stacionet e zjarrfikëseve, strukturat e emergjencave civile, dhe përfaqësues nga njësitë e vëzhgimit dhe survejimit komunitar, në zonat e Malit të Sharrit, Mavrovës dhe Korab-Koritnikut.
Trajnimi për mbrojtjen nga zjarri në zonat e mbrojtura, siç janë parqet ose rezervat kombëtare, u përqendruan në parandalimin, zbulimin dhe reagimin ndaj zjarreve, dhe ishin një kombinim të trajnimit të aftësive dhe njohurive të konteksteve specifike ekologjike, si sjellja me zjarret në pyje, teknikat e parandalimit të zjarrit, metodat e shuarjes së zjarrit dhe procedurat e reagimit ndaj emergjencave të përshtatura për sfidat unike të zonave të mbrojtura.
Në sesionet e trajnimit u mëshua shumë në procesin e parandalimit të zjarrit, duke theksuar teknikat për zvogëlimin e rrezikut të ndezjeve të shkaktuara nga njeriu dhe faktorët natyrore, siç janë edukimi publik, djegia e kontrolluar dhe menaxhimi i lëndëve djegëse. Një theks i vecantë u fokusua në planifikimin e investimeve dhe masave parandaluese që në buxhetet vjetore të bashkive dhe zonave të mbrojtura, dhe organizimin e strukturave me burimet e duhura njerëzore të cilat duhet të jenë të trajnuara. Gjithashtu, gjatë trajnimit u organizuan sesione praktike në shuarjen e zjarrit, në përdorimin e mjeteve dhe strategjive të ndryshme për të kontrolluar dhe shuar zjarret, duke përfshirë mjetet dore, sistemet e furnizimit me ujë dhe shuarjen e zjarreve nga ajri. Me interes për pjesëmarësit ishte edhe pjesa e njohurive specifike për vlerësimin e dëmevë në ekosistemin pas zjarreve, metodat e vlerësimit, raportet dhe kuptimi i mënyrës se si zjarri ka influencuar jo vetëm në dëmtimin e pasurisë pyjore drusore, por edhe vlerat e biodivrsitetit me grupet specifike të bimëve dhe kafshëve brenda zonës së mbrojtur, dhe si përllogoritja e efekteve të tjera ekologjike.
Takime të vecanta u ndërmorën me grupet e task-forcave të reagimit ndaj emergjencave, ku u diskutua për procedurat ligjore, kordinimi dhe mardhëniet ndër-institucionale, zhvillimi i aftësive në menaxhimin e incidenteve, komunikimin, kërkimin dhe shpëtimin dhe ndihmën mjekësore në situatat e zjarreve. Ekspertët u fokusuan në këto takime edhe në elementët e procedurave të sigurisë, për pajisjet mbrojtëse personale, praktikat e sigurta të punës dhe identifikimin e rreziqeve, duke siguruar sigurinë e zjarrfikësve dhe personelit tjetër, në zbatim të procedurave të emergjencës dhe protokolleve të komunikimit.
Përfshirja e komunitetit ishte një element i rëndësishëm në gjithë ciklin e masave parandaluese të zjarreve në zonat e mbrojtura. Angazhimi i komuniteteve lokale në përpjekjet për parandalimin dhe reagimin ndaj zjarreve do të rrisë ndjeshëm efektivitetin e e menaxhimit të zjarreve në zonat e mbrojtura. Fushata ndërgjegjësuese të vazhdueshme, përdorimi i medias, dhe krijimi i strukturave komunitare efektive janë element të rëndësishëm në menaxhimin efektiv të zjarreve. Gjithashtu këto takime ndërgjegjësuese duhet të harmonizohen më një proces edukimi të vazhdueshëm të zhvillimit professional të ekipeve të reja të zjarrfikëseve, rojeve të zonave të mbrojtura dhe komunitetit me aftësitë dhe njohuritë e duhura teknike dhe aftësitë profesionale.

  • Region:

    • North Macedonia

More News & Updates