“Treni Po vjen”, takime informuese në Bashkitë Tiranë, Durrës, Shijak dhe Fushë Krujë


Description

“Treni Po vjen”, takime informuese në Bashkitë Tiranë, Durrës, Shijak dhe Fushë Krujë
Përfaqësuesit e Fondacionit Shqiptar për Zhvillimin e Kapaciteteve Lokale (ALCDF) dhe Rrjetit për Fuqizimin e Gruas në Shqipëri (AWEN), kontraktuar nga HBMC në kuadër të projektit të BERZH-it për “Nxitjen e shoqërisë civile për promovimin e transportit të qëndrueshëm hekurudhor në Shqipëri” zhvilluan takime informuese në Bashkitë e Tiranës, Durrësit, Shijakut dhe Fushë Krujës.
Autoritetet lokale morën informacionin e nevojshëm për projektin e rehabilimit të rrjetit hekurudhor që lidh Tiranën me Durrësin dhe degëzimin e tij drejt aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas. Për të patur më pak incidente u vlerësua e nevojshme që qytetarët e të gjitha moshave të veprojnë në mënyrë të sigurt dhe të jenë të përgjegjshëm lidhur me respektimin e rregullave, shenjave dhe paralajmërimeve pranë hekurudhës dhe trenave.
Segmenti i rehabilituar hekurudhor Tiranë-Durrës dhe segmenti i ri Domje-Rinas, nëpërmjet aplikimit të sistemeve modern të administrimit dhe sigurisë do të arrijë Nivelin e Sigurisë SIL 4, të njëjtin standard që përdoret nga operatorët e vendeve evropiane. Plani i Sigurisë Hekurudhore, përveç sistemit të telekomanduar të sinjalizimit dhe kontrollit parashikon, rrethimin me gardh mbrojtës të linjës hekurudhore dhe sistemet automatike të mbrojtjes në vendkalimet e autorizuara.
Roli i autoriteteve lokale mbetet veçanërisht i rëndësishëm jo vetëm në fazën ndërtimore por edhe në atë të vënies në funksion të hekurudhës. Rrethimi i hekurudhës do të mbyllë të gjitha kalimet e paautorizuara. Kalesat e autorizuara do të pozicionohen në përputhje me mundësitë e rrugëve alternative ndërsa kanalet dhe urat e hekurudhës do të krijojnë mundësi të pranueshme për lëvizjen e kafshëve.
Bazuar në nevojën për qarkullimin e automjeteve dhe qytetarëve, hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës do të ketë 19 kalime rrugore dhe 5 kalime vetëm për këmbësorët. Kalimet në nivel me rrugën do të jenë të pajisura me barriera të automatizuara, semaforë pulsues dhe sinjale zanore paralajmëruese, ndërsa kalimet për këmbësorët do të përmbajnë barriera të plota, sistem paralajmërues me drita dhe sinjal zanor ashtu sikurse pengesa për të parandaluar kalimin e automjeteve rrugore.
Përveç angazhimit të tyre të drejtpërdrejt në terren për informimin e sa më shumë qytetarëve që jetojnë dhe punojnë në zonën ku kalon rrjeti hekurudhor, përfaqësuesit e pushtetit vendor në Bashkitë Tiranë, Durrës, Shijak dhe Fushë Krujë do të shfrytëzojnë hapësirat publike ku ofrohen shërbime për të vendosur tabela me të dhëna orientuese për projektin dhe fazat e tij.

  • Region:

    • Tirane

More News & Updates