Treni Tiranë-Durrës-Rinas, takime informim/ndërgjegjësimi tek bizneset


Description

Treni Tiranë-Durrës-Rinas, takime informim/ndërgjegjësimi tek bizneset
Bizneset që ushtrojnë aktivitetin e tyre përgjatë gjurmës së projektit të ri hekurudhor që lidh Tiranën me Durrësin dhe degëzon rrjetin me aeroportin ndërkombëtar të Rinasit po informohen për përfitimet dhe çështjet e sigurisë së transportit hekurudhor.
Teksa Hekurudha Shqiptare Sh.a. po avancon përmes kontraktorit me punimet në terren, organizatat e shoqërisë civile, të kontraktuara nga konsulentët e BERZH-it po zhvillojnë takimet informuese dhe ndërgjegjësuese.
Ekspertët e Fondacionit Shqiptar për Zhvillimin e Kapaciteteve Lokale (ALCDF), zhvilluan takime me stafet administrative të kompanive “Aquila Liquori” e cila numëron mbi 60 të punësuar dhe Metal Nesimi sh.p.k. me 47 punonjës.
Përfaqësuesit e ALCDF prezantuan projektin e hekurudhës, avantazhet që vijnë nga përdorimi i trenit ashtu sikurse rregullat që mundësojnë një përdorim të sigurtë e të qëndrueshëm të kësaj forme transporti.
Drejtuesit e këtyre bizneseve shfaqën interes për projektin që po zbatohet tashmë nga Hekurudha Shqiptare. Ndërsa aktualisht kompanitë mbulojnë vet kostot e transportit për punonjësit, vendosja në punë e trenit si alternativë lëvizjeje shihet prej tyre si një mundësi e mirë për të reduktuar shpenzimet. Gjithashtu, transporti hekurudhor u konsiderua si efikas jo vetëm për lëvizjen e njerëzve por në një përspektivë të afërt edhe për mallrat pasi këtyre bizneseve u krijohet mundësi lidhjeje me qytetin e Durrësit ku gjendet porti më i madh tregtar i vendit.
Administrata e “Auila Liquori” dhe Nesimi Sh.p.k. mori përsipër të kryejë shpërndarjen e materialeve të përgatitura tek punonjësit me synim informimin dhe ndërgjegjësimin e tyre për projektin, përfitimet dhe aspektet e sigurisë së transportit hekurudhor.

  • Region:

    • Tirane

More News & Updates