Takim ne fshatin Kurdari per promovimin e nismes se forcimit te rrjetit te aktoreve te turizmit ne nivel rajoni & krijimin e DMO ne Diber.
- 01-Jul-2022
- Mirela Jaupaj
Description
Me hapa te sigurte drejtë nismës për krijimin e DMO (Organizata e menaxhimit të Destinacionit) në nivel rajonal, qarku Dibër.
Me datë 29 Qershor 2022, në fshatin Kurdari, tek bujtina e sapo hapur “Çeliku”, u mblodhën aktorët kryesorë të zinxhirit të turizmit të qarkut Dibër, që nga pronarë dhe menaxherë hotelesh, bujtinash, guida turistike, artizanë, agjensi udhëtimi dhe përfaqësues të institucioneve të pushtetit lokal, Prefekturës, Qarkut, Agjensisë së Zonave të Mbrojtura, media dhe shoqëria civile për të promovuar nismën e forcimit të rrjetit të aktorëve të turizmit në nivel rajoni, dhe krijimin e DMO, Orgnaizata e Menaxhimit të Destinacionit në nivel rajonal për Qarkun Dibër.
Për 18 muaj, të gjithë aktorët e turizmit në bashkitë e Matit, Klosit, Bulqizës dhe Dibrës punuan sëbashku, shkëmbyen eksperiencat, analizuan rrjedhën e vizitorëve strategjik në zonën e tyre, zhvilluan dokumentin me orientimet strategjike, produktet turistike të nëntë shtigjeve shumë ditore, me 5 deri në 7 ditë në nivel rajonal, dhe tashmë janë të gatshëm për të forcuar rrjetin e tyre dhe për të krijuar një strukturë të fortë të DMO që të merret me menaxhimin e destinacionit Dibër-Mat. Në këtë mënyrë, rajoni i Dibrës do të jetë nga rajonet e para pilote në Shqipëri që do të ketë një DMO, shprehet Dhurata Gazulli, përfaqësuese e GIZ në Shqipëri, model që GIZ po punon për ta ngritur në nivel kombëtarë duke ndihmuar qeverinë Shqiptare të hartojë një kuadër të duhur ligjorë, dhe të krijojë modele të DMO në rajone tjera.
Pjesëmarësit në këtë takim u njohën me broshurën turistike të destinacionit Dibër-Mat, hartën turistike, broshuren e 9 shtigjeve rajonale 5-7 ditore, dokumentin me orientimet strategjike te zhvillimit te turizmit ne kete destinacion, dhe me zemër dhe mendje të hapur ata theksuan me nota optimizmi që turizmi do të zhvillohet në rajonin e Dibrës, dhe Organizata e Menaxhimit të Destinacionit (DMO), e cila do të krijohet dhe formalizohet do të jetë promomovuesja e vlerave më të mira të mikpritjes, natyrës dhe traditës së zonave të qarkut Dibër.
Dibër-Mat një destinacion turistik magjik, atje ku mbetesh pa frymë!
Nisma e krijimit të DMO në qarkun Dibër, është një nismë pilote në Shqipëri, në kuadër të programit “Zhvillimi i Qëndrueshëm i Zonave Rurale në Shqipëri (SRD)”, financuar nga Organizata ndërkombëtare Gjermane e Zhvillimit (GIZ), dhe zbatuar për qarkun Dibër nga Fondacioni Shqiptarë i Zhvillimit të Kapaciteteve Lokale (ALCDF).
Dhurata Alimani
-
Region: